Timo Flloko beson fort te fuqia e rastësive, ndryshe ai mendon se nuk do të ishte njohur kurrë me Vera Grabockën.
Në një intervistë në “Opinion”, ai rrëfeu disa detaje nga njohja e tyre dhe historia e dashurisë.
“E njoha në shkollë, prandaj them rastësia…kjo duhet kuptuar që nëse unë nuk do të isha emëruar në Tiranë, se mund të isha emëruar në Vlorë, nuk do ta kisha njohur këtë vajzë të re [dikur] apo zonjë sot. E njoha në bankat e shkollës, ishte studentja ime,” u shpreh Flloko për kohën kur ai u emërua pedagog në Akademinë e Arteve, ku Grabocka studionte për regji.
Në vijim, aktori shtoi se “ngeci” në dashuri me Verën, në kuptimin që e kishte të pamundur të hiqte dorë prej saj.
“[Vera] ishte e veçantë, në dinamikë, në sjellje, në energji, në natyrë, në bisedë. Ishte dashuri ku ngeca, sepse unë nuk besoj se nuk kam qenë djalë josimpatik në atë kohë. Ishte e dyanshme tërheqja. Ndonjëherë më dukej më shpërfillëse Vera, sesa unë. Ngeca [nga dashuria për të] dhe sa mirë sepse në jetë, njeriu ka nevojë për një mbështetje.”
Për Timon, Vera ka qenë si një lis i fortë ku ai ka gjetur mbështetje. ”Vera ka qenë një mbështetje, siç mbështetet një trup mbi një lis kur është i lodhur. Ashtu jam mbështetur gjithmonë te Vera,” u shpreh ai.
Për Timon, Vera ka qenë gjithmonë kritikja e parë, sepse “ka shqisën e gjashtë”. “Ajo kurrë nuk gabon,” shtoi aktori duke theksuar se “gjithmonë del fjala e saj”.
Timo Flloko dhe Vera Grabocka janë prindër të një vajze, Linda.