Jasir Asani shkëlqeu në plot kuptimin e fjalës me Kombëtaren e Shqipërisë, në kualifikueset drejt kampionatit europian, duke shënuar 3 gola e duke dhënë 2 asist në 8 ndeshjet që u aktivizua.
28-vjecari ishte surpriza e Sylvinho-s në nisjen e këtij rrugëtimi, me sulmuesin nga Shkupi që e shpërbleu më së miri besimin e brazilianit.
Asani prej një edicioni luan në Korenë e Jugut tek skuadra e Gwangju, por pritet që pas paraqitjeve mbresëlënëse me kuqezinjtë, 28-vjecari të rikthehet në Europë.
Burime të “SuperSport” mësojnë se e ardhmja e Asanit lidhet me La Liga, ku skuadra e Las Palmas është gati që të blejë kartonin e lojtarit të Kombëtares së Shqipërisë. Klubi nga Korea pretendon rreth 1 milion euro për ta lënë të lirë Asanin, shifër e pranueshme për ekipin spanjoll.
Megjithatë, Las Palmas do të ketë konkurrencë nga Gjermania dhe Arabia Saudite. Anësori kuqezi ka tërhequr vëmendjen e dy klubeve në Gjermani, por për të ka pasur interesim nga sheikët arab, që gjithashtu kanë kërkuar informacion për Asanin.
Përfaqësuesit e lojtarit, por negociojnë për të vendosur më pas të ardhmen e sulmuesit nga Shkupi, i cili ka si prioritet të transferohet në një skuadër ku të aktivizohet rregullisht, në mënyrë që të jetë në formë për kampionatin europian që do të zhvillohet në Gjermani vitin e ardhshëm. E sigurt është që Asani nuk do të vijojë të luajë më në Kore, e me shumë gjasa do ta shohim në një nga kampionatet më të forta në Europë si La Liga Spanjolle.